Δευτέρα 10 Μαρτίου 2014

Agim Canaj dorëhiqet, Vllaznia pa trajner....

Vllaznia do ta nisë fazën e tretë pa trajnerin e vet, Agim Canaj. Situata kritike në klasifikim, rezultatet e dobëta, rreziku serioz për të rënë nga Superiorja, e ka detyruar teknikun në fjalë të japë dorëheqjen, duke marrë mbi vete përgjegjësitë dhe hapur rrugën dikujt tjetër për ta nxjerrë skuadrën shkodrane nga kriza, për ta shpëtuar nga largimi prej Superiores. Pas një takimi analizë me kryebashkiakun Lorenc Luka, që është njëherazi edhe president i Vllaznisë, Canaj ka vendosur të largohet, gjë të cilën në fakt ka dashur ta bëjë që pas ndeshjes me Kastriotin, por ndërhyrja e krerëve të klubit bëri që ai të vazhdojë punën deri në barazimin e bardhë ndaj Besës në “Loro Borici”. Kujtojmë se Agim Canaj e mori drejtimin e skuadrës shkodrane në verën e vitit të kaluar, duke udhëhequr edhe fazën përgatitore. Sidoqoftë, situata në fillim të punës së tij ishte mjaft e vështirë për shkak se mungonin financat, skuadra kishte kaluar nga presidenca e Agron Celës, që u bë deputet i LSI, për te Bashkia. Kjo e fundit mori sërish në duar administrimin e skuadrës dhe sipas mundësive të veta financiare bëri merkato modeste në krahasim me të tjerët. E njëjta gjë mund të thuhet se ndodhi edhe në merkaton e janarit, edhe pse bashkia ka pohuar gjithnjë se Vllaznisë nuk i mungon asgjë, se pagesat e kontratave janë bërë pikë për pikë sipas nënshkrimit të dy palëve. Madje kryebashkiaku Luka arriti deri atje sa në një mbedhje të këshillit bashkiak tha: “Ia kam plotësuar të gjitha kushtet skuadrës. Pse nuk po fiton? Më mbetet vetëm të luaj unë e të shënoj gol…”
Vllaznia nuk e shijon dot fitoren që në javën e 15-të, kur fitonte 2-0 ndaj Lushnjës. Më pas, ajo ka marrë 4 barazime dhe tri humbje, cka i ka kushtuar edhe pozicionin aktual në renditje, vendi i 9-të me 25 pikë, që po të ishte fundi i kampionatit do të thoshte se Vllaznia do të zbriste në Kategorinë e Parë.
Kraja: Nuk kam lidhje me grindjen, kosovarët mashtrojnë
Elvis Kraja ka mbetur i habitur nga deklaratat e kavajasve, të cilët ia kanë përmendur emrin si një prej iniciatorëve të sherrit që ndodhi në tunel në ndeshjen Vllaznia- Besa. “Nuk i kam lexuar gazetat sot dhe kjo që po më thoni më habit. Thuhet që unë kam qenë ai që e kam goditur lojtarin në fjalë, çka nuk është e vërtetë. Unë kam hyrë në dhomat e zhveshjes i pari. Kemi qenë natyrisht shumë të mërzitur për rezultatin dhe në një moment po dëgjoja të shara dhe përplasje. Kur dola, pashë policinë në mes të dy ekipeve. Për një gjë jam i sigurt, kosovarët e Besës i kanë ngacmuar me fyerje dhe sharje portierin Vujadinoviç, serbin dhe kroatin që kemi në skuadër. Megjithatë, shokët më pas më treguan se ofendimet filluan që në momentin kur skuadrat po futeshin për në dhomat e zhveshjes. Madje Boci u godit pasi po replikonte me dyshen Berisha-Mustafa. Ne kemi problemet tona dhe nuk është e mirë që ekipet mike të bëjnë të tilla veprime, pasi në Shkodër kanë gjetur një ambient të jashtëzakonshëm si brenda ashtu edhe jashtë fushe. Madje, është absurde që të përmendin emra pa lidhje, si në rastin tim. Jam i bindur se tani edhe dy kosovarët që folën në media do e kenë kuptuar që kanë blof me deklaratat e tyre. Nuk është mirë që të merren me trillime, pasi kështu nuk bëjnë gjë tjetër veçse të provokojnë dhe agravojnë situatën”, – ka përfunduar Kraja.
Çfarë ndodhi në tunel
Fill pas ndeshjes, dy futbollistë të Besës, Bernard Berisha dhe Argjend Mustafa, kanë denoncuar dhunën e ushtruar ndaj tyre në Shkodër. Lojtarët kosovarë bëjnë të ditur se janë goditur me grushte e shkelma nga drejtori sportiv i klubit shkodran, Armir Grima, si dhe dy lojtarët e Vllaznisë: Alis Boci dhe Ervis Kraja. Ndërkohë, sipas shkodranëve, Berisha i ka provokuar gjatë lojës lojtarët sllavë të Vllaznisë, konkretisht Vujadinoviçin, duke u folur në gjuhën e tyre. “Ik mor serb!”, gjë që kosovari e mohoi kategorikisht. Mësohet se sherri në tunel është parë edhe nga delegati e vëzhguesi i Vllaznia- Besa.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου