Δευτέρα 20 Ιανουαρίου 2014

Vllaznia në kaos, revoltohen tifozët. Rinovon Kruja, ka klauzolë 100 mijë euro për shitjen

Vllaznia feston fitoren ndaj PartizanitVllaznia vijon të jetë në kaosin e merkatos. Përveç afrimit të tre shkodranëve të rinj si Marku, Shaba e Zefi, asnjë lëvizje tjetër nuk është bërë. Edhe pse janë të shumtë emrat që deri më tani kanë ardhur për provë, plot 9 futbollistë, ata janë larguar për arsye se nuk kanë bindur. Me sa duket, Vllaznia është shndërruar në një autoshkollë, ku gjithkush mund të hyjë e të dalë. Kjo situatë duket se do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, pasi kuqeblutë ende nuk kanë arritur të gjejnë lojtarët që u duhen. Për këtë duhet të vazhdojnë të provojnë lojtarë të ndryshëm. Një situatë kjo pak a shumë e ngjashme me atë të afro dy viteve më parë, kur në këtë skuadër u provuan më shumë se 20 lojtarë.
Reagimet - Kaosi që ka mbërthyer kuqeblutë nuk po përtypet ashtu si duhet nga tifozëria shkodrane. Madje, ata janë shprehur shumë kritikë në këtë drejtim. Nisur nga takimi i fundit me Tiranën, pakënaqësia e ultrasve kuqeblu është e madhe. Ata nuk i janë kënaqur për asnjë çast ekipit të tyre. Ashtu si edhe trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, edhe ata janë të mërzitur nga të ardhurit e shumtë për provë, aq sa nuk kanë ngurruar që gjatë takimit të lëshojnë edhe batuta. Në një situatë të tillë, përveç shigjetimeve direkte për drejtuesit e klubit dhe për mungesën e këtyre të fundit jo vetëm në stadium, por edhe në punë në një situatë kaq të nxehtë merkatoje, nuk ka munguar edhe humori lidhur me atë çka po ngjet te Vllaznia. Batutat kanë pasur lidhje me lojtarët që shkojnë e vijnë për provë te kjo skuadër, të cilët ia ulin në maksimum vlerat kësaj fanelle dhe këtij emri të madh. “A din me lujt futboll, hajde dhe provoju te Vllaznia”, – ka qenë një prej shprehjeve të dala prej tifozërisë shkodrane. Ata i kanë humbur shpresat tashmë për afrime cilësore.
Kërkesat - Shkodranët kanë shumë nevojë për përforcime në këtë periudhë. Vetë numri një i pankinës së Vllaznisë, Agim Canaj, edhe pas miqësores me Tiranën e ka vënë theksin te nevoja imediate që ka skuadra për t’u përforcuar. Mirëpo, ai vijon të jetë i mendimit se nëse afrimet do të bëhen, duhet të jenë cilësore. Në fakt, Vllaznia ka nevojë në dy sektorë të fushës, pikërisht në mbrojtje në krahun e djathtë dhe mesfushë. “Për ta përballuar siç duhet këtë pjesë të dytë të sezonit duhet që të bëjmë medoemos dy afrime cilësore. Jemi në një situatë aspak të mirë në pozicionin në të cilën ndodhemi në tabelën e klasifikimit. Kampionati është i gjatë dhe na duhen forca për ta përballuar si duhet. Ne jemi të vendosur për të bërë afrime cilësore, në të kundërt do të mbështetemi te forca e këtij grupi që kemi. Duhet të gjejmë lojtarë që ua njohim vlerat dhe me një CV të pasur. Nuk kemi shumë kohë”, – ka thënë Canaj. Deri më tani e vetmja alternativë për kuqeblutë mbetet malazezi Nikola Vukçeviç. Vlerat e këtij lojtari njihen, dhe në rolet që luan ai mund të ishte afrimi i duhur. Por me sa mësohet në këtë kalim luan rol parësor aspekti financiar. Kuqeblutë nuk kanë mundësi për të bërë një afrim të tillë, kjo është mësuar edhe nga ana e vetë menaxherit të lojtarit. Ndërkaq, emra të tjerë konkretë nuk ka.
Rinovon talenti Kruja, klauzolë 100 mijë euro për shitjen
Arsid Kruja, mesfushori 20-vjeçar që njëherësh është edhe një nga zbulimet e deritanishme të Vllaznisë, ka nënshkruar kontratën e re me këtë skuadër. Nga sa mësohet, Kruja ka firmosur për një periudhë 3-vjeçare. Vlerat e këtij lojtari me kuqeblutë gjatë pjesës së parë të sezonit kanë qenë të mëdha. Dhe kjo ka bërë që drejtuesit e klubit të lëvizin pa humbur kohë për ta pasur edhe për tri sezone të tjera. Mirëpo, në kontratën e nënshkruar prej tij ka një klauzolë, sipas së cilës ai nuk do të pengohet nëse do të marrë ndonjë ofertë nga një skuadër e kampionatit të huaj. Por nëse do të largohet në drejtim të klubeve europiane, Vllaznia do të përfitojë 100 mijë euro. Kjo është shuma e vendosur për lojtarin, nëse ndonjë ekip i huaj do të kërkojë shërbimet e tij.
Kuqeblutë, sot drejt Velipojës
Vllaznia do të niset sot pasdite në drejtim të Velipojës. Nga sa mësohet, kuqeblutë do të zhvillojnë paradite stërvitjen e parë të kësaj dite, ndërsa pasdite do të udhëtojnë në drejtim të Velipojës. Mirëpo, ajo që nuk dihet është se si do të jetë koha e qëndrimit në fshatin turistik, pasi kushtet atmosferike mund të ndikojnë në zhvillimin e proceseve stërvitore. Numri një i pankinës shkodrane, Agim Canaj, është i mendimit që në kushte jo të përshtatshme të kthehet përsëri në Shkodër dhe ta vazhdojë atje procesin përgatitor. Skuadra do të marrë ngarkesat maksimale, me qëllim që në pjesën e dytë të kampionatit të jenë në top-formë


Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου