Τετάρτη 22 Ιανουαρίου 2014

Vllaznia, bashkia 120 milionë më pak se vjet. Kjo shumë nuk del as për të mbyllur borxhet

Canaj prezantohet te VllazniaProjektbuxheti i bashkisë, që pritet të miratohet këto ditë në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, për klubin e futbollit Vllaznia sh.a do të jetë më i ulët se një vit më parë. Kështu, shkodranët do të përfitojë vetëm 20 milionë lekë të rinj për 2014-ën, ndryshe nga një vit më parë kur akordoheshin 32 milionë lekë të rinj, pra 12 milionë lekë të rinj më pak. Këto para nga sa mësohet do të shkojnë si zgjerim kapitali të këtij klubi, ku do të jenë të shkruara 20000 aksione me vlerë 1000 lekë. Kjo shumë mësohet se do të akordohet në dy pjesë. Pjesa e parë e fondit do të akordohet në muajin shkurt 2014 dhe pjesa tjetër e saj në muajin qershor, e ndarë në proporcion të drejtë (pra me nga 10 milionë lekë të rinj në çdo këst. Kjo shumë është parashikuar që të ndahet kryesisht në katër pjesë; pjesërisht për pagat për lojtarët, paga e administratës, pagesa të takim-taksave dhe për shpenzime të ndryshme për stadiumin.
Buxheti i 2013-ës - Në vitin 2013, nisur nga dokumentacioni i shpërndarë për këshilltarët bashkiakë, mësohet se vlera e akorduar për klubin Vllaznia ka qenë në shumën e 32 milionë lekëve të rinj, pra 12 milionë lekë të rinj më shumë sesa buxheti i ri që pritet të miratohet për klubin Vllaznisë në ditët e fundit të janarit. Në 2013-ën është votuar nga këshilltarët bashkiakë të Shkodrës katër herë për miratim të fondeve për klubin e futbollit Vllaznia sh.a., më 28.12.2012 është miratuar shuma prej 10 milionë lekë të rinj, po ashtu në janar të vitit 2013 një tjetër shumë prej 10 milionë lekësh të rinj. Ndërsa pas tri muajsh, pikërisht në fund të prillit të vitit 2013, u miratua një tjetër shumë prej 2 milionë lekësh të rinj. Kurse shuma e fundit ka qenë e miratuar në nëntor të po këtij viti, me shumë 10 milionë lekë të rinj, pavarësisht se ajo që u publikua ishte një shumë prej 4.500 lekësh të rinj. Nga sa mësohet, kjo shumë prej 32 milionë lekësh të rinj është ndarë në zërat e mëposhtëm: në 21 milionë e 400 mijë lekë të rinj për pagat e lojtarëve, 2 milionë lekë të rinj pagesa e trajnerëve, 4 milionë e 400 mijë lekë të rinj pagesa e administratës, 1 milion e 750 mijë lekë të rinj pagesa e punonjësve të akademisë Vllaznia, 700 mijë lekë të rinj pagesa e mjekëve, 300 lekë të rinj pagesa e Fut-fallës dhe 1 milion e 450 lekë të rinj janë paguar taksa, sigurime dhe TAP.
Borxhet - Buxheti që pritet të miratohet, i cili nuk del për të përballuar siç duhet një sezon, nuk ka të përfshirë në të borxhet që klubi shkodran u ka lojtarëve për vitin e shkuar, pikërisht pagesat e muajve mars, prill, maj. Kjo do të jetë një problem më vete për drejtuesit e klubit, sepse siç edhe është mësuar borxhet e mbartura e kalojnë shumën që bashkia do të akordojë për vitin 2014 për këtë klub. Megjithatë, drejtuesit shpresojnë që të gjejnë ndonjë donator të mundshëm, pasi në një situatë të tillë financiare gjërat mund të rëndohen së tepërmi te kjo skuadër, sidomos pas përfundimit të këtij sezoni.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου