Erkand Qerimaj shpallet kampion Europe, Godelli i dyti…
Dy peshëngritësit shqiptarë ngrenë lart flamurin kuqezi duke dominuar skenën për kategorinë deri në 77 kg. Si asnjëherë tjetër dy sportistët shqiptarë konkurruan me njëri-tjetrin për vendin e parë duke eklipsuar kundërshtarët e tjerë. Erkand Qerimaj, i cili vinte pas përfundimit të pezullimit për përdorimin e substancave të ndaluara, tregoi karakterin e vërtetë duke ngritur plot 349 kg në dygarësh e duke u shpallur kampion Europe. Jo vetëm kaq, por djaloshi shkodran u shpall kampion Europe edhe në stilin e shtytjes. Ai ngriti në shkëputje 155 kg duke marrë medalje bronzi, por shfaqi më të mirën në stilin e preferuar, atë të shtytjes, që ishte një leksion i vërtetë për kundërshtarët. Në tri prova, Qerimaj kaloi me sukses, 188, 193 dhe 194 kg dhe çuditërisht rivali i tij për fronin ishte sportisti tjetër shqiptar, Daniel Godelli. Me Qerimajn që mori dy medalje ari dhe një bronzi, Shqipëria pasuron arkivin me të tjera medalje, pasi edhe Godelli ishte në formën më të mirë. Ky i fundit nderoi shtangën shqiptare duke marrë 3 medalje argjendi, që do të thotë tri herë nënkampion, në stilin e shkëputjes, ku ngriti 157 kg, atë të shtytjes ku kaloi 192 kg, ndërsa në total e mbylli me 349 kg, që do të thotë se humbi titullin vetëm për çështje peshe. Madje edhe kjo e fundit është një surprizë e jashtëzakonshme, duke qenë se Qerimaj fitoi për vetëm 20 gramë më pak peshë sesa Godelli. Kaq pak ka mjaftuar që shkodrani të fitojë të artën si dhe 20 milionë lekë më shumë sesa kolegu i tij (parà këto që vijnë nga fitimi i medaljeve. 40 milionë lekë përfiton ai që merr medaljen e artë, 20 e argjendta dhe 5 e bronzta). Si kurrë më parë Shqipëria nuk është ndier kaq e pushtetshme në peshëngritje në Europë, dhe merita kryesore shkon për dy heronjtë tanë, Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli. Sakaq, i pyetur nga “Panorama Sport”, presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili ndodhej në Izrael gjatë garave, ka premtuar se këta sportistë do marrin medalje edhe në olimpiadën në Brazil. “Ishte një emocion i paparë, pasi ishin dy sportistët tanë në garë deri në fund për medaljen e artë. Duhet të ndihemi krenarë për ata dhe kjo tregon edhe një herë se peshëngritja jona ka realisht sportistë të mirë, të cilët premtojnë medalje edhe në olimpiadën në Brazil”, ka thëna Gjoza.

Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου