Σάββατο 19 Απριλίου 2014

Vllaznia pushton “kalanë e Krujës”, 5 fitore radhazi KASTRIOTI-VLLAZNIA 2-4

Kastrioti-VllazniaGolat: Doku 22′, Caca 67′ (pen) / Kruja 8′, Tafili 43′, Shtubina 58′, Bushic 82′
KASTRIOTI: Kukrika (Cali 46′), Caca, Sheta, Xhafa, Abraham, Çela (Manuka 46′), Doku, Sefa, Da Silva, Ferraj (Tepshi 46′), Popovic. Trajner: N.Dede
VLLAZNIA: Vujadinovic, Beqiri, Bardulla, Vukcevic, Sykaj, Boci (Marku 66′), Shtubina, Kruja, Tafili (Gocaj 60′), Hajdari (Dema 83′), Bushic. Trajner: D.Haxhiosmanovic
Gjyqtarë: L.Jemini, E.Barushi, D.Myftari
Kartonë të verdhë: Sgeta 87′ / Beqiri 66′
 Pjesa e parë  Shtubina ndërmerr një inkursion individual në krahun e majtë në minutën e pestë, duke kaluar edhe mbrojtësin e fundit Xhafa, më pas e adreson topin në qendër për te Bushic, por kroati është i ngadalshëm në manovrim, duke u dhënë mundësinë vendësve të ndërhyjnë e të evitojnë rrezikun potencial. Ky rast shënon edhe fillimin e një beteje të fortë e të hapur mes të dyja skuadrave, në një terren të rënduar nga shirat e rëna, që nuk munguan edhe gjatë lojës, ndërkohë që të pranishëm janë edhe shumë tifozë shkodranë. Nuk mungojnë edhe drejtuesit e klubit të kryeqendrës së veriut, ngaqë kjo transfertë është mjaft përcaktuese për fatet e mbijetesës. Bie në sy loja kundërsulmuese e Vllaznisë, e cila del shpejt në ofensivë, me topin që kalon nëpër këmbët e Shtubinës, Hajdarit dhe Bushicit, kryesisht, ndërkohë që krutanët hasin vështirësi të dalin nga gjysmëfuha e tyre. Kjo vjen edhe si pasojë presionit gati asfiksues të miqve, që duan ta nxjerrin sa më parë në dritë golin e avantazhit. Dhe kjo nuk vonon, pasi Kruja, duke shfrytëzuar edhe gabimin e prapavijës krutane, driblon njëri pas tjetrit tre lojtarë të Kastriotit dhe me një goditje në gjysmëlartësi shënon. Start më të mirë nuk mund të kishte për Vllazninë, që duket tepër e vendosur dhe luftarake në këtë ndeshje. Bushic ka në këmbët e tij, një minutë pas golit të Krujës, golin e dytë dhe të sigurisë. Kroati gjuan tokazi, por topi qeth shtyllën transversale të portierit Kukrika. Mbetet në zotërim të lojës skuadra shkodrane, ndërkohë që Vujadinovic vihet në provë vetëm një herë në 20 minutat e para të lojës. Eshtë Cela, që godet fort drejt kuadratit shkodran në minutën e 10-të, por topi i tij kalon mbi tranversë. Shiu sa vjen dhe shtohet, aq sa punëtorëve të stadiumit krutan u duhet të përforcojnë vijëzimet e fushës, ndërsa futbollistët e të dyja skuadrave të përveshin mirë mëngët në aspektin fizik.
Në minutën e 22-të gabon mbrojtja shkodrane, e cila lejon Celën të bëjë c’të dojë dhe më pas të pasojë te Doku. Ky i fundit s’e ka të vështirë të shënojë dhe të barazojë rezultatin, i vetëm me portierin Vujadinovic. Me rikthimin e ekuilibrit rezultativ loja bëhet edhe më e zjarrtë. Gjallërohen shumë vendësit, që e hedhin më dendur vështrimin nga porta kundërshtare, ndërkohë që nuk mbeten pas edhe miqtë. Sulmet dhe kundërsulmet nuk mungojnë sa në njërën portë, aq në tjetrën. Luftohet “jetë a vdekje”, ndaj gjithcka zhvillohet në tapetin e blertë është dramatike në llojin e vet. Popovic me kokë i afrohet ndjeshëm golit të përmbysjes në minutën e 30-të, por fati është me kuqeblutë kësaj here. Deri në fund të pjesës së parë ka dyluftime të shumta në mesfushë, ku tentohet të startojnë mësymjet drejt portave respektive. Tashmë në mbrojtjet e skuadrave ka më tepër vigjilencë, ato janë të pakalueshme, ndaj lojtarët nisin të godasin edhe nga distanca. Këtë “specialitet” e favorizon edhe terreni rrëshqitës i fushës, por shënjestra është e pakolauduar si duhet. Dy minuta para mbarimit të këtij fraksioni loje, portieri Kukrika gabon rëndë, duke përfunduar së bashku me topin përtej vijës fatale, pas goditjes së Tafilit. Skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes me epërsinë e miqve, ndërkohë që lufta do të vijojnte më e ndezur në 45 minutat e dyta.
Pjesa e dytë  Nis me tri raste ideale të kuqebluve për gol. I pafalshëm shpërdorimi i Shtubinës, i vetëm përballë portierit Cali, që mund ta trefishonte rezultatin. Trajneri Dede ka bërë tri zëvendësime të menjëhershme me nisjen e pjesës së dytë, duke mos ia falur atë gabim portierit Kukrika, që e zëvendëson me të riun Cali, por edhe në mesfushë bën dy lëvizje. I pashpjegueshëm zëvendësimi i Celës, që në 45 minutat e para ishte ndoshta lojtari më i lëvizshëm dhe i rrezikshëm për krutanët. Madje nga këmbët e tij u gatua edhe goli i barazimit të përkohshëm, me autor Dokun. Tashmë Vllaznia është më e kujdesshme në detyrat mbrojtëse, nuk zhbilancohet në orvatjen me shumë forca drejt portës krutane, cka është e logjikshme. Tentohet të mbrohet rezultati pozitiv, nga njëra anë, dhe përmes kundërsulmit të shpejtë tentohet goli i tretë dhe i sigurisë, nga ana tjetër. Mundohen të reagojnë vendësit, që e qarkullojnë dendur topin, por në zona të vdekura, ndërsa në fazën finalizuese shfaqin mangësi. Toleron shumë edhe Bushic, që nuk është në gjendje të “firmosë” në këtë ndeshje në minutën e 57-të, por korrigjon gjithçka Shtubina një minutë më pas, që i ngre në 3-1 shifrat e rezultatit. Me një avantazh të tillë, “Deda” shton edhe një forcë mbrojtëse në radhët e të tijve. Gocaj zë vendin e Tafilit fillimisht, por pa vonuar aktivizohet edhe Marku në vendin e Bocit. Mirëpo ky moment shoqërohet me një penallti për vendësit. Kapiteni Beqiri e pengon me dorë topin e drejtuar drejt portës së tij, ndaj Jemini tregon pikën e bardhë dhe kartonin e verdhë për veteranin e Vllaznisë. Penalltinë e kthen në gol kapiteni vendës, Caca, që ngushton rezultatin dhe rihap lojën në minutën e 67-të. Mirëpo, nuk lëshojnë terren shkodranët, që rrisin presionin dhe me anë të Bushicit vulosin “pokerin” në minutën e 82-të. Krosimin e Krujës, sulmuesi kroat e dërgon në rrjetën e boshatisur të vendësve, ndërsa veten e ngjit në kuotën e 12 golave, në vendin e tretë të golashënuesve më të mirë të Superiores, pas Pejicit (14 gola) dhe Cikalleshit (13 gola). Merr goditje tjetër të rëndë Kastrioti, i cili kupton se nuk mund ta ndryshojë më fatin e vet. Dede dhe të tijtë pranojnë “me shpatulla pas murit” rënien “de facto” në Kategorinë e Parë, ndërsa bëhet me krahë Vllaznia, e cila konsolidon ndjeshëm pozitat e veta në klasifikim. Megjithatë, asgjë nuk ka mbaruar për kuqeblutë, sa i takon mbijetesës, teksa i duhet të luajë edhe javën e ardhshme në transfertë, ndaj Tiranës në kryeqytet.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου