Πέμπτη 1 Μαΐου 2014

Beqiri, “oksigjen” për Vllazninë. Shkelma dhe ofendime, në Shkodër mbyllet me sherr.

Vllaznia-FlamurtariVllaznia ka arritur të marrë një fitore tejet të rëndësishme në përballjen e djeshme ndaj Flamurtarit. Ekipi kuqeblu i është falur golit të shënuar në minutën e 88-të nga ana e kapitenin Elvin Beqiri. Një fitore shprese për shkodranët, që mesa duket do të vuajnë deri në fund të këtij sezoni për të arritur mbijetesën. Një ndeshje që është shoqëruar që nga minuta e parë deri tek e fundit nga një luftë e fortë sportive, ku nuk kanë munguar emocionet e shumta, me dy portierët protagonistë në shpëtimin e portave respektive. Dhe një takim i tillë nuk kishte sesi të mos përfundonte edhe me një incident mes lojtarëve pas vërshëllimës së fundit të arbitrit.
Takimi - Ndeshja ka qenë e mbushur me shumë emocione, kjo për vetë faktin se Vllaznisë në këtë sfidë i është dashur arritja e pikëve maksimale. Ndërsa vlonjatët luanin për të marrë edhe një barazim, i cili do t’i mbante gjithsesi larg zonës së rrezikut të rënies nga kategoria. Që në minutat e parë shkodranët kanë kërkuar që të jetë në pranë portës, por jo me forcë konkrete. Sinjali i parë është dhënë në minutën e 7- të me anë të Krujës, por gjuajtja e tij ka qenë jashtë kuadratit. Po ashtu edhe Bushiç e Vukçeviç kanë rrezikuar portën mike, por pa gjetur kuadratin. Sakaq, miqtë kanë një rast të pastër shënimi në minutën e 33-të kur u pretendua për një penallti për një pengim në zonë, por që nuk e pa me atë sy arbitri Pashaj. Sakaq, momenti më i mirë për vendësit është shënuar në minutën e 40-të përmes Bushiçit, i cili i vetëm përballë Moçkës, kërkon që t’i shmanget edhe këtij të fundit para se të shënojë. Në fakt kroati e kalon edhe portierin, por në vend që të shtyjë topin në portën boshe, bën më të vështirë, duke aktruar në mënyrë amatoreske dhe natyrisht duke merituar denjësisht kartonin e verdhë për simulim. Nga ana tjetër miqtë kanë bërë shumë pak në drejtim të portës shkodrane, kur në 45- të minutat e para ka qenë vetëm një goditje dënimi e ekzekutuar nga Veliu dhe e pritur nga Vujadinoviç.
Goli - Pjesa e dytë e takimit ka qenë më emocionuese. Shkodranët kanë kërkuar që në minutat e para të saj përmes Tafilit dhe më pas edhe Bushiçit me kokë, por në të dyja rastet është Moçka që shpëton portën e tij. Në anën tjetër, Abilaliaj vë në vështirësi Vujadinoviçin, i cili largon topin në goditje nga këndi. Kalimi i minutave ka rritur edhe presionin e shkodranëve. Shtubina, Beqiri, Bushiç dhe Tafili kanë pasur mundësi të mira për të ndryshuar shifrat e takimit, por në asnjë rast nuk kanë qenë të qartë para portës së Moçkës. Madje Tafili dhe Bushiç me kokë kanë vënë në vështirësi reale portierin e Flamurtarit, i cili e ka shpëtuar për mrekulli portën e tij. Megjithatë në minutën e 88- të, ky i fundit e ka pasur të pamundur që të mbajë të paprekur rrjetën e tij. Një krosim i ardhur nga këndi mbërrin te kapiteni Elvin Beqiri, i cili në zonë, pasi e uli topin gjuan fort, me sferën që kalon mes shumë lojtarëve dhe nuk ndalet dot as nga Shehaj, i vendosur në shtyllën e majtë të portierit të tij. Një gol që ka ndezur tifozërinë shkodrane, e cila vazhdon të mbështesë dhe të përkrahë e shumtë në numër në këtë situatë skuadrën e vet. Megjithatë në minutën e 2-të të shtesës prej tre minutash, kanë qenë miqtë që kanë rrezikuar përmes një gjuajtje të Shehajt, e grushtuar për mrekullisht nga Vujadinoviç. Tre pikë shprese për shkodranët, të cilët do duhet të luajnë mbijetesën këtë të diel në Kavajë.

Shkelma e ofendime, në Shkodër mbyllet me sherr
Në Shkodër fundi i ndeshjes është shoqëruar me shkelma dhe ofendime. Teksa shkodranët po festonin, Telushi ka marrë një send nga fusha dhe e ka hedhur atë në drejtim të tifozëve vendës. Gjest ky që nuk është përtypur nga lojtarët e Vllaznisë, të cilët kanë filluar debatin me Telushin dhe Veliun dhe më pas gjithçka ka degjeneruar edhe me shkelmime, gjë që rrëfehet edhe nga Ndriçim Shtubina. Për “Panorama Sport” mesfushori tregon edhe krahun e dëmtuar, pas goditjes me takë të kapitenit të Flamurtarit. “Nuk është gjë e mirë që këta lojtarë të shfrytëzojnë faktin se në Shkodër ka mikpritje. Veliu shau tifozët tanë dhe më tej më shkelmoi në krah dhe jo vetëm kaq, por më ofendoi nga familja. Këtë nuk ia lejoj askënd. Kjo më ka irrituar më pas dhe kam kërkuar që të shkoj në drejtim të tij. Ndoshta këta lojtarë nuk do ta bënin në asnjë qytet tjetër një veprim të tillë. Prandaj u them atyre që të mos shfrytëzojnë faktin se në Shkodër luhet futboll dhe nuk ka presione”, – ka deklaruar pas takimit Ndriçim Shtubina. Versionin e tij e jep edhe Amarildo Belisha, i cili ngulmon se vlonjatët i kanë ofenduar. “Më vjen keq që ndodhi një gjë e tillë pikërisht kur kishte përfunduar gjithçka. Kur po shkonim të festonim fitoren me tifozët e tribunës përballë, ka qenë Telushi që ka marrë një send në pistë dhe ka gjuajtur në drejtim të ultrasve vendës, madje duke i sharë ata. E kam kapur për dore dhe e kam sjellë në drejtim të fushës, aty ka ndërhyrë Pepa që më shtyu dhe më pas Veliu ka goditur edhe Shtubinën. Ne thjesht kemi dashur që ata lojtarë të mos shajnë dhe gjuajnë tifozët tanë. Të mos përfitojnë se në Shkodër luhet futboll dhe nuk kanë asnjë presion nga ana e tifozëve”, – ka thënë Belisha.

Apolonia-Vllaznia 1-3, Beqiri ne zoterim te topitElvin Beqiri: Goli për tifozët
Dje, Elvin Beqiri ka çuar peshë një Shkodër të tërë. Një gol që jo vetëm pati vlerën e tri pikëve, por edhe të shpresës. Kapiteni i Vllaznisë ua dedikon atë gol të gjithë tifozëve shkodranë, të cilët nuk i humbën shpresat te fitorja. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi sqaron se triumfi në limit i ka shijuar pa masë dhe shfaq bindjen se skuadra e tij do të mbijetojë. “Ishte një përballje shumë e vështirë për ne, por për fat nuk u dorëzuam dhe në fund morëm një trepikësh me shumë vlera. Një fitore që erdhi në momentet e fundit, na kënaqi pa masë. Personalisht unë u lumturova dyfish, jo vetëm për pikët, por edhe për golin. Sapo shënova u drejtova te tifozët dhe ua dedikova atyre atë gol. E meritonin, pasi ashtu si ne, edhe ata besuan deri në fund. Kjo ishte një fitore mbijetese, megjithatë asgjë nuk është mbyllur. Tashmë na duhet të ruajmë ritmin dhe të marrim edhe një rezultat pozitiv në takimin e fundjavës që luajmë në Kavajë me Besën. Ka qenë një trepikësh shprese, por që na ka kthyer edhe besimin në vetvete. Shpresoj që kundër kavajasve të ‘vulosim’ njëherë çështjen e mbijetesës”, – ka përfunduar kapiteni, Elvin Beqiri.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου