Τετάρτη 14 Μαΐου 2014

ZmijaniVllaznia mbijetoi, megjithatë ky pa dyshim ishte sezoni më i vështirë për këtë ekip, teksa rrezikoi deri në fund rënien nga kategoria. Një situatë e pakonceptueshme për specialistët shkodranë. Dy prej tyre, emra të shquar të viteve ’80-’90, i bëjnë skanerin ecurisë së kuqebluve. Mjeshtri i Merituar i Sportit, Hysen Zmijani, si edhe shkodrani i mirënjohur Lulzim Bërsheni, e konsiderojnë të domosdoshme që Vllaznia të kalojë në duart e ndonjë biznesmeni.
Zmijani - “Vllaznia ka mbyllur një prej sezoneve më të vështira në vitet e fundit. Deri në momentet e fundit skuadra ka qenë e rrezikuar për të rënë nga kategoria. Një situatë aspak e këndshme, jo vetëm për ekipin, por për të gjithë ne që jetojmë me Vllazninë. Në tri vitet e drejtimit të klubit nga bashkia, këtë edicion situata degradoi. Fondet nuk kanë qenë të njëjtat. Nga sa është mësuar, ato kanë qenë në rënie. Kjo bën që nëse nuk duam që kjo situatë të jetë e tillë edhe në sezonin e ardhshëm, bashkia të marrë masa sa më të shpejta për t’ia kaluar klubin ndonjë biznesmeni. Kjo gjë duhet të bëhet sa më shpejt, që puna për sezonin e ri të fillojë sa më shpejt e në mënyrë që të jemi në kohën e duhur”, – ka deklaruar ish-mbrojtësi i Vllaznisë dhe ekipit tonë përfaqësues, Hysen Zmijani.
Bersheni - Edhe pse kishte afro 12 vite pa ardhur në Shkodër, Vllazninë e ka ndjekur nga televizori. Lulzim Bersheni, një nga talentet e viteve ’85-’90 të futbollit shkodran (i larguar në vitin 1987, pikërisht kur ekipi shkodran po kthehej nga Finlanda), ka theksuar se kjo ka qenë një ndër skuadrat më të dobëta të këtyre viteve të fundit. “Natyrisht që nuk kam qëndruar pa e ndjekur Vllazninë. Më vjen keq se si agravoi kjo skuadër me këtë emër aq të madh, sa të diskutojë mbijetesën deri në takimin e fundit. Minimumi ku unë them se do të ishte Vllaznia është vendi i katërt, por kurrsesi nuk do të mendoja se do ishte e 8-ta në renditje, duke rrezikuar. Sipas meje, kjo rënie ka ardhur pasi klubi është drejtuar nga bashkia. Pavarësisht se ky institucion mund të ketë plotësuar të gjithë kushtet, me aq sa ka pasur mundësi, në këto kohë është e vështirë që një bashki të mbajë një ekip. Ndaj bashkia duhet të heqë dorë nga Vllaznaia dhe ta lërë atë në duart e bizneseve, vetëm kështu e ardhmja do të jetë më e mirë. Në Shkodër ka talente që dalin çdo vit dhe duhet që këto të miradministrohen dhe të sjellin të ardhura të tjera për klubit. Unë kam besim se, nëse biznesi merr drejtimin e klubit, do të shikojnë në sezonin e ardhshëm një tjetër Vllazni”, – përfundoi Bersheni.
Luka: S’ka asnjë emër serioz që kërkon klubi
Numri një i Bashkisë së Shkodrës dhe njëherësh presidenti i Vllaznisë, Lorenc Luka, thekson se ata po mundohen që t’ia kalojnë ekipit ndonjë biznesmeni. Sipas Lukës, deri tani nuk ka asnjë emër konkret, megjithatë pranon se Fushaj ka shfaqur dëshirën për të marrë përsëri drejtimin e klubit, por ka një kusht primar që bashkia të vërë në dispozicion të tij një shumë prej 250 milionë lekësh të rinj në vit. “Deri tani nuk kemi asnjë investitor serioz, që po interesohet për të marrë ekipin e Vllaznisë. Këta po mungojnë të paktën deri në këto momente. Ne jemi të gatshëm ta kalojmë klubin në duart e ndonjë biznesmeni e aktualisht po punojmë për këtë çështje”, – tha kryebashkiaku


Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου