Mesfushori i Vllaznisë Arsid Kruja i ka premtuar besnikëri skuadrës së tij edhe për të paktën sezonin tjetër me shpresën se shkodranët nuk do të jenë vetëm një skuadër që kërkon mbijetesën. 20 vjeçari, i cili u vlerësua me vendin e dytë në çmimin talenti i vitit, flet për të ardhmen e tij që duket të jetë sërish tek Vllaznia aty ku talentet nuk mungojnë. “Jam në kontratë me Vllazninë dhe do vijoj të jem ende aty. Çmimi është një vlerësim për punën e bërë edhe pse Vllaznia kaloi një moment të keq. Shpresoj që skuadra të përmirësohet dhe në sezonin tjetër të kemi objektiva të tjerë, që janë të denja për futbollin shkodran”, ka deklaruar Kruja.
Pavarësisht momentit negativ të shkodranëve edicionin e kaluar, elementët cilësorë nuk munguan dhe kjo duket në vlerësimin që i është bërë mesfushorit 20 vjeçar. Kruja thekson se historia e këtij trofeu ka treguar që në Shkodër nuk mungojnë talentet. “Fakti që më parë ky trofe është fituar nga shkodranët tregon se Vllaznia ka traditë në prodhimin e talenteve”, ka përfunduar deklaratën e tij talenti shkodran. Së fundmi Kruja është bërë pjesë e përfaqësueses së 21 vjeçarëve të Shqipërisë. 20 vjeçari është një nga futbollistët më të aktivizuar këtë sezon tek Vllaznia, pasi regjistron 32 ndeshje të luajtura dhe katër gola të realizuar, duke qenë shpeshherë shpëtimtar tek skuadra e tij.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου