Πέμπτη 6 Φεβρουαρίου 2014

Vllaznia e irrituar me shkodranin, ironizon G.Likën: Si tha, shkova në Vlorë për trofe.

Gilman LIKATifozët e Vllaznisë nuk e kanë përtypur dot kalimin e Gilman Likës te Flamurtari. Irritimi i tyre ka qenë i dukshëm në ditën kur mesfushori zyrtarizohej si afrim te klubi vlonjat. “Revolta” në rrjetet sociale, veçanërisht në faqet e ultrasve të Vllaznisë, ka qenë e madhe. Ndërkohë, në ditën e prezantimit te vlonjatët, mes të tjerave për “Panorama Sport” Lika deklaroi: “Unë refuzova disa oferta të klubeve të tjera të Superiores, të cilat kishin vlera më të larta financiare, për projektin madhor që ka Flamurtari. Me sponsorët e rinj klubi do të jetë edhe më mirë, ndaj unë zgjodha Flamurtarin. Projekti është ambicioz dhe pas diskutimeve me drejtuesit, objektiv primar është Kupa e Shqipërisë, por edhe Kupat e Europës”. Pikërisht kjo deklaratë e shkodranit duket se nuk është pritur mirë as nga drejtuesit e Vllaznisë. Këta të fundit kanë ironizuar lojtarin për faktin se ka thënë që nuk shkoi te Flamurtari për parà, por për ambiciet që kanë drejtuesit për trofe dhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Klubi shkodran tentoi të bindte Likën në fundin e merkatos, por ai zgjodhi Flamurtarin para Vllaznisë, Tiranës dhe Skënderbeut.

Reagimi Për t’u dhënë në njëfarë mënyre përgjigje tifozëve, ka reaguar drejtori sportiv Armir Grima. “Gilman Likës i kemi bërë një ofertë shumë të mirë, nga më të mirat e kampionatit shqiptar, por duket se Flamurtari i ofroi sërish më shumë dhe ai zgjodhi atë skuadër. Kjo është zgjedhje e tij, por ajo për të cilën më ka ardhur keq për këtë futbollist është deklarata e tij kur ka thënë se ‘shkova te Flamurtari për të marrë trofe’. Këtë nuk arrij ta kuptoj. Nëse do të thoshte shkova te Skënderbeu dakord, por jo te Flamurtari. Megjithatë, e përsëris, kjo është çështje e tij. Ai veproi si ndonjë shkodran tjetër në verë, pa dashur të jap emra, me të cilin kishim rënë dakord për gjithçka dhe e kishim lënë për të nisur stërvitjen të nesërmen dhe ai zgjodhi tjetër skuadër. Ne nuk mund t’i imponohemi askujt. Dera e Vllaznisë ka qenë dhe vazhdon të mbetet e hapur për çdo shkodran, madje shumë raste kemi bërë më shumë sesa mundësitë reale për t’i sjellë te Vllaznia, por as kjo nuk ka mjaftuar”, – është shprehur Grima për uebsajtin zyrtar të klubit shkodran, “vllaznia.al”.
Canaj, pak lëvizje në formacion
Edhe pse ka dy ditë të tjera në dispozicion për të ndarë mendjen për sa i përket formacionit, trajneri Agim Canaj ka krijuar në njëfarë mënyre boshtin e skuadrës që do të nisë takimin me Teutën. Nisur nga paraqitja që ekipi bëri ndaj Skënderbeut, lëvizjet në formacion pritet të jenë me pikatore. Canaj, gjatë gjithë këtyre ditëve, nuk ka dhënë shenja për lëvizje konkrete. Megjithatë, në pjesën e dytë në takimin me korçarët loja ka ardhur gjithnjë në rritje, pikërisht pas lëvizjes së parë që Canaj ka bërë. Aktivizimi i Krajës në qendër të mbrojtjes dhe kalimi i malazezit Vukçeviç në rolin e një mbrojtësi të djathtë dhe po ashtu spostimi i Gocajt në mesfushë, i dha freski skuadrës. Trajneri do të ketë të gatshëm tashmë edhe Belishën e Seminën.
Dëmtohet Marku, humbet sfidën me Teutën
Mbrojtësi i majtë shkodran, Antonio Marku, është dëmtuar në seancën e djeshme stërvitore. Ai ka pësuar një zgjatje të muskulit në këmbën e tij të majtë. Nga sa mësohet, lojtari ka lënë më përpara shokëve të tij seancën stërvitore. Marku ka mbërritur në Shkodër për të kontribuar për ekipin e vendlindjes, teksa në pjesën e parë të sezonit ka qenë pjesë e Kukësit. Ai shikohet si një alternativë e mundshme për krahun e majtë të mbrojtjes. Tashmë gjasat janë që të mungojë në takimin e radhës ndaj Teutës. Ndërkaq, edhe kapiteni Amarildo Belisha ka pasur dje shqetësime, por kjo nuk ka ndikuar që ai të stërvitet me ekipin. “Veterani” shkodran pritet të jetë i gatshëm për të shtunën.
Financat, klubi jep garanci
Drejtuesit e klubit shkodran kanë dhënë garanci për financat. Fillimisht ka qenë kryebashkiaku Lorenc Luka, i cili në takimin që pati me skuadrën gjatë javës së kaluar, premtoi se rrogat do të jenë të sigurta. Ndërkohë, edhe drejtori sportiv Armir Grima, dy ditë më parë, në lidhje me anën financiare deklaroi: “Vërtet nuk jemi një klub i pasur, por duhet ta dinë të gjithë se ekipit të Vllaznisë nuk i ka mbetur asnjë rrogë pa dhënë deri në fundin e vitit 2013. Ekipit të Vllaznisë nuk i kanë munguar premiot”.


Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου